kantonopou’s blog

ΘΕΟΛΟΓΙΚΟ ΙΣΤΟΛΟΓΙΟ

E TËRËSHËNJTA HYJLINDËSE NË BESIMIN ORTHODHOKS

Συγγραφέας: kantonopou στις 30 Αυγούστου, 2009

pan2.jpg

“Ty që je më lartë se qiejt edhe më e pastër se shkëlqimet e diellit, ty që n’a shpërbleve neve prej mallkimit, ty Zonjën e gjithë botës me himne le të nderojmë”

Sot, predikimi që do të mbaj do të jetë dogmatik, do të flasim për një nga dogmat e besimit tonë.  Çfarë do të thotë fjala dogmë?  Dogma është ajo që n’a mëson Kisha jonë dhe ne duhet t’a besojmë dhe t’a pranojmë si të vërtetë absolute.  Çfarë pikërisht n’a mëson Kisha jonë?  N’a mëson shumë gjëra.  N’a mëson që – dhe i Krishteri Orthodhoks duhet t’a dijë – se çfarë është bota, çfarë është njeriu, çfarë është trupi dhe çfarë është shpirti, çfarë janë ëngjëjt dhe Kryeëngjëjt, kush është Trinia e Shënjtë, kush është Perëndia Atë, kush është Biri dhe kush është Shpirti i Shënjtë, çfarë është parajsa dhe çfarë është ferri, çfarë është Kisha dhe çfarë janë misteret, çfarë është pagëzimi dhe çfarë është kurorrëzimi, çfarë është eukaristi hyjnor etj.  Të gjitha këto janë mësime të cilat duhet t’i dijë çdo i Krishterë Orthodhoks.

Por fatkeqësisht sot ekziston një injorancë tepër e madhe.  Të Krishterët e sotshëm as alfabetin e besimit tonë nuk e njohin.  Dhe kjo është e vërtetë jo vetëm për ata që janë të pashkolluar por edhe për ata që e heqin vehten për shkencëtarë dhe të ditur.  Njohin shumë mirë plot gjëra të tjera, por kur vjen puna për besimin dhe fenë tonë as që kanë haber fare.  Eh, si të dinë kur në Kishë shkelin vetëm për Pashkë dhe Krishtlindje?

Le të shohim tani se çfarë n’a mëson Kisha e Shënjtë për Hyjlindësen e Tërëshënjtë.  Ka rëndësi të madhe dogma rreth Hyjlindëses Mari, sepse lidhet direkt me personin e Zotit tonë Jisu Krisht.

Me mijëra gra kanë lindur deri më sot, mijëra gra jetojnë sot, dhe mijëra gra të tjera do të lindin deri në mbarim të shekujve.  Shumë prej tyre u dalluan për bukurinë e tyre, të tjera për urtësinë dhe zgjuarsinë e tyre, dhe të tjera u dalluan për prejardhjen e tyre familjare. Por të gjitha këto gra erdhi koha që u harruan.  Vetëm një grua nuk është harruar – E Përmbishënjta, Hyjlindësja Mari.  Pse?  Sepse ndër mijëra e mijëra gra vetëm ajo u gjend e denjë për të lindur Perëndinë dhe të bëhet kështu Nënë e Perëndisë.  Oh çfarë misteri!  Sa e pastër duhej të ishte ajo që do të denjësohej për të lindur Zotin tonë Jisu Krisht!  Duhej të ishte e qashtër dhe virgjëreshë.  Dhe kështu u krye misteri i madh, Perëndia të cilin nuk e nxenë dot qiejt e nxuri barku i Virgjëreshës, dhe kështu barku i saj u bë Froni i Perëndisë.  Virgjëresha Mari pra lindi Perëndinë, ndaj quhet dhe Hyjlindëse.  Dhe njëkohësisht mrekullia tjetër është që mbeti virgjëreshë, jo vetëm përpara lindjes por si gjatë lindjes ashtu dhe pas lindjes, d.m.th gjithmonë e virgjër.  Në qoftë se nuk e beson këtë mister atëherë nuk je i Krishterë Orthodhoks.  Virgjëresha lindi Shpëtimtarin e botës.  Ky është besimi ynë.  Jashtë besimit Orthodhoks heretikët janë të përçarë përsa i përket personit të Hyjlindëses së Tërëshënjtë.  Disa prej tyre e përmbi-nderojnë dhe të tjerë nuk e nderojnë ashtu dhe aq sa duhet.  Ndërsa ne çfarë besojmë?  Orthodhoksia pranon dhe mëson që e Tërëshënjta është më e lartë se patrikët dhe profetët e Dhiatës së Vjetër, më e lartë se Shën Joan Pararendësi, më e lartë se Apostojtë, më e lartë akoma edhe se ëngjëjt dhe Kryeëngjëjt.  E Tërëshënjta është më e lartë se të gjithë.  Por arrijmë deri në këtë pikë dhe ndalojmë – ajo nuk është Perëndi.  Sepse hyjnizimi i së Tërëshënjtës përbën herezi.  Heretikët e kanë bërë të Tërëshënjtën Perëndi.  Ndërsa ne nuk e hyjnizojmë virgjëreshën Mari, dhe kurrë nuk themi që e Tërëshënjta Hyjlindëse është Perëndi.

E Tërëshënjta, përsa i përket lidhjes së saj me Perëndinë, me Jisu Krishtin, është edhe ajo një “shërbëtore”.  Kështu e quan vehten e saj ajo vetë (Lluk.1:38-48).  Ishte tepër e përulur Hyjlindësja Mari, dhe nuk krenohej kurrë.  Kur “ëngjëlli prej qiellit u dërgua për t’i thënë Hyjlindëses Gëzohu” (Himni Akathist), ajo nuk u krenua që do të lindte Krishtin.  As nuk vuri tellallin nëpër rrugë dhe sheshe.  Vetëm pyeti: si unë grua pa burrë do të lind?  Dhe ëngjëlli iu përgjigj: “s’ka punë që të jetë e pamundur tek Perëndia”.  Dhe atëherë ajo pranoi me përulësi vullnetin Hyjnor duke thënë: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë mbi mua pas fjalës sate” (Lluk.1:35-38).  Kështu tha e Tërëshënjta, që është edhe ajo një “shërbëtore” e Perëndisë.  Ndaj është mëkat fenomeni që vihet re disa herë kur për shkak të mungesës së njohurive nderojnë më tepër të Tërëshënjtën sesa Krishtin (pashë diku që përpara ikonës së Krishtit kishin vënë një kandil të vogël, ndërsa përpara ikonës së Hyjlindëses Mari plot kandile të mëdha).

Disa prej heretikëve, jo për shkak të mosditjes, por për shkak të këmbënguljes së tyre satanike e konsiderojnë të Tërëshënjtën si Perëndi, ashtu si Grekët e lashtë, paraardhësit tanë, kishin Perëndi Artemisin, Athinanë etj.  Ne nuk mund të pranojmë gjëra të këtilla.  Ky pra është njëri ekstrem në të cilin këmbëngulin papistët.  Katolikët pra të Tërëshënjtën e kanë ngritur shumë lart duke e nderuar si Perëndi dhe me statuja të larta.  Ata pra kanë të quajturin Mari-adhurim.

Të tjerë heretikë shkojnë në ekstremin tjetër krejt të kundërt.  Këta janë protestantët.  Çfarë thonë ata?  E nënvlerësojnë personin e së Tërëshënjtës.  E konsiderojnë si një vajzë ordinere.  Çfarë është virgjëresha Mari, të thonë, një grua si gjithë gratë e tjera.  Dhe ndërsa katolikët i ngrehin asaj statuja, protestantët as si shëmbëlltyrë nuk e pranojnë.  Ndërsa eretikët hiliastë (dëshmimtarët e Jahovait) nuk duan as emrin e së Tërëshënjtës t’a dëgjojnë.

Ndërsa ne, Kisha Orthodhokse pra, jemi në ekuilibër.  Orthodhoksia as me protestantët nuk bashkohet, as me papistët.  Kisha jonë e Shënjtë Orthodhokse mëson që e Tërëshënjta Hyjlindëse është përmbi të gjithë shënjtorët, por nuk është Perëndi; mëson që ajo u vlerësua së lartazi të lindë në mënyrë supernatyrore Birin e Perëndisë.  Krishti lindi në mënyrë të përmbinatyrshme, jashtë ligjeve pra të natyrës, lindi në mënyrë të çuditëshme – lindja e Krishtit përbën një mister të cilin njerëzit nuk mund t’a njohin.  Këto beson dhe predikon Kisha jonë përsa i përket personit të Hyjlindëses Mari dhe kështu e nderojmë ne të Krishterët Orthodhoksë të Tërëshënjtën Virgjëreshë.

Këto pra përsa i përket teorisë.  Në praktikë, në realitet çfarë ndodh?  Themi që e nderojmë në mënyrë orthodhokse të Tërëshënjtën Hyjlindëse.  Por a nderojmë vërtet?  Sigurisht që ka shpirte besimtarësh të cilët vërtet e duan dhe e nderojnë të Tërëshënjtën.  Po të tjerët?  Ditën që kremtojmë Fjetjen e Hyjlindëses të gjithë festojnë, akoma dhe zyrtarët e lartë të qeverisë vijnë në Kishë.  Por në çfarë orë arrijnë në Kishë?  Andej nga fundi.  Vijnë vetëm sa për hadet.

Po kështu edhe ushtarakët, vetëm me fjalë e nderojnë të Tërëshënjtën.  Por nëse ka ndonjë vënd ku shahet orë e minutë emri i së Tërëshënjtës ky vënd është ushtria – ku është nderi pra?  Shkoni atje në repartet ushtrake të dëgjoni se ç’bëhet.  Nuk e mohoj që ka edhe nga ata brenda ushtrisë të cilët e nderojnë të Tërëshënjtën.  Por të shumtët?  Nuk kalon as edhe një ditë e vetme që të mos shahet me fjalë të frikëshme dhe të turpshme e Tërëshënjta.

Dhe së fundi populli.  Fatkeqësisht kudo, në shtëpi apo vende publike, të ashtuquajturit të Krishterë Orthodhoksë çnderojnë në mënyrë të neveritshme emrin e së Tërëshënjtës.  Dhe kush e ngre zërin apo proteston për këtë gjë – më thoni ju lutem kush?  Dëgjon i Krishteri vlasfiminë dhe në vënd që të mbajë qëndrim qesh si guak.  Dëgjon gruaja burrin të shajë dhe kur i thua asaj gruaje që bën mëkatë që e toleron këtë gjë ajo të përgjigjet: “epo çfarë të bëj, të prishem me burrin dhe t’a humb?”… Nuk ju them që të ndaheni dhe të arrini në divorc.  Por nëse do gruaja vërtet ajo mund t’a bindë burrin.  Por fatkeqësisht nuk bën absolutisht asgjë.

Dëgjojnë prindërit fëmijët e tyre të vlasfimojnë – asgjë absolutisht!  Ky është mëkat i madh.  Sepse mëkaton ai që nxjerr vlasfiminë nga goja, por edhe ti që e dëgjon dhe nuk merr qëndrimin e duhur edhe ti mëkaton pikërisht aq sa dhe ai nga goja e të cilit doli sharja.  Nuk je i Krishterë i vërtetë, por je pseudo-i Krishterë.  E pra, nuk e do dhe nuk e nderon të Tërëshënjtën ashtu siç thua.

Shën Joan Gojëarti thotë: atë që dëgjon të vlasfimojë këshillohe – nuk të dëgjon?  A ke dorë?  Bjeri buzëve.  Dora që godet gojë vlasfimtari do të shënjtërohet.  Në Azinë e vogël dhe në Pont nuk guxonte askush të vlasfimonte.  Ai që do të nxirrte nga goja vlasfimi detyrohej të largohej nga fshati.  Dhe Shën Kosmai i Etolisë thotë: Në qoftë se merr një thikë dhe më nxjerr sytë, më pret veshët, hundën e duart jam i detyruar të të fal.  Nëse më shan nënën dhe babën që më lindën përsëri të fal.  Por po më shave Krishtin dhe Shën Marinë nuk dua të të shikoj me sy!

Të gjithë o vëllezër jemi bashkëfajtorë.  Qoftë sikur dhe një vlasfimi e vetme të dëgjohej duhej të binin këmbanat e vdekjes – ashtu siç bien gjatë të Premtes së Madhe çdo vit.  Ndërsa sot me mijëra gojë vlasfimojnë dhe askush nuk do t’ia dijë!

Përpiquni pra! Gjeni mënyrën që të zhduket nga faqia e dheut vlasfimia dhe kështu shoqëria jonë të bëhet një kitarë që hymnon ditë e natë Hyjlindësen dhe Birin e saj, Zotin tonë Jisu Krisht, të cilin hymnojeni dhe përmbilartësoheni në jetë të jetëve.  Amin.

† Episkop Avgustini

(Fjala u mbajt në Kishën e Shën Pandelimonit – Follorinë,të Enjte më 10 Gusht, 1989)

Përktheu nga Greqishtja

Aleksandër Filip Gusht 2009

Πηγή:augoustinos-kantiotis.gr/?p=5926

Αφήστε μια απάντηση